Ministri i Jashtëm gjerman: Jam mbrojtësi më i qartë i Izraelit në Bruksel

8 Tetor 2025 | 07:58

Të martën, në të gjithë Gjermaninë u zhvilluan ngjarje për të përkujtuar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Ministri i Jashtëm Johann Wadephul dha një mesazh të qartë mbështetjeje për Izraelin:

“Si gjerman, unë jam automatikisht mbrojtësi më i qartë i Izraelit, jo vetëm si Johann Wadephul”, tha ai gjatë një interviste në podkastin më të ndjekur të çështjeve aktuale në Gjermani, drejtuar nga Paul Ronzheimer.

Wadephul theksoi se është gjithmonë ai që “qëndron më qartë në anën e Izraelit” kur ndodhet mes homologëve të tij në Bruksel.

Në Portën e Brandenburgut në Berlin, u mbajt një ceremoni ku u lexuan emrat e viktimave izraelite të sulmit të 7 tetorit. Kancelari Friedrich Merz, nga radhët e demokratëve të krishterë, njësoj si Wadephul, paralajmëroi për rritjen e antisemitizmit dhe u bëri thirrje gjermanëve të tregojnë solidaritet me bashkëqytetarët hebrenj:

“Le të tregojmë të gjithë se qëndrojmë në krah të tyre dhe se do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që hebrenjtë të mund të jetojnë këtu në Gjermani me besim dhe pa frikë,” tha Merz në një mesazh video të publikuar të martën në X.

Vetëm dy ditë më parë, Merz kishte sugjeruar që Gjermania duhet të bojkotojë Festivalin Europian të Këngës nëse Izraeli përjashtohet.

“Është skandal që kjo po diskutohet fare. Izraeli ka një vend atje,” deklaroi ai.

Ndërkohë, Gjermania ka refuzuar së fundmi të njohë shtetësinë palestineze — ndryshe nga disa nga fqinjët e saj — dhe ka hedhur poshtë propozimet për sanksione ndaj Izraelit nga Komisioni Evropian.

Gjermania dallohet brenda Bashkimit Evropian si aleati më i zëshëm dhe më i vendosur i Izraelit. Arsyeja kryesore qëndron në historinë e saj të errët me persekutimin dhe vrasjen e miliona hebrenjve gjatë periudhës naziste.

Pas krijimit të Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949, koncepti politik i “Vergangenheitsbewältigung” – përballja me të kaluarën – u bë themel i politikës gjermane. Kjo përfshinte përballjen me krimet naziste, nxjerrjen para drejtësisë të autorëve, përkujtimin e Holokaustit në art dhe kulturë, dhe nderimin e viktimave.

Qeveritë gjermane që nga vitet 1950 e kanë konsideruar një detyrim moral dhe historik luftën kundër antisemitizmit dhe mbështetjen e shtetit të Izraelit.

Në vitin 1952, nëpërmjet Marrëveshjes së Luksemburgut, kancelari Konrad Adenauer dhe kryeministri izraelit David Ben-Gurion ranë dakord për pagesa reparacioni: Gjermania do t’i paguante Izraelit 3 miliardë marka gjermane (rreth 714 milionë dollarë në atë kohë), për të ndihmuar vendin të strehonte mbi gjysmë milioni të mbijetuar të Holokaustit.

Në total, Gjermania ka paguar rreth 90 miliardë dollarë në dëmshpërblime për individët dhe komunitetet hebraike të dëmtuara nga nazistët.

Marrëdhëniet diplomatike u vendosën zyrtarisht në vitin 1965, megjithëse mosbesimi ndaj gjermanëve mbeti i fortë në Izrael për shumë vite. Si shembull, udhëtarët gjermanë të lindur para vitit 1928 kanë nevojë për një vizë të veçantë për të hyrë në Izrael, ndryshe nga gjermanët e rinj, që hyjnë me pasaportë të zakonshme.

Sot, Gjermania dhe Izraeli ruajnë një “marrëdhënie të veçantë”, ku një shtyllë qendrore është angazhimi i Gjermanisë ndaj sigurisë së Izraelit si pjesë e “Staatsräson” (arsye shtetërore) — një koncept i përforcuar nga kancelarja Angela Merkel në vitin 2008.

Pas një vizite në Izrael në vitin 2022, kancelari aktual Olaf Scholz theksoi:

“Vrasja masive e hebrenjve e ka origjinën në Gjermani. Ajo u planifikua dhe u krye nga gjermanët. Kjo i jep çdo qeverie gjermane përgjegjësinë e përhershme për sigurinë e Shtetit të Izraelit dhe mbrojtjen e jetës hebraike. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë vuajtjet dhe viktimat e miliona njerëzve.”

Me kalimin e viteve, Gjermania është bërë furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin, pas Shteteve të Bashkuara. Ndihmat përfshijnë: nëndetëse të pajisura për të mbajtur armë bërthamore, motorë tankesh, municione dhe pajisje të tjera ushtarake.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

101-vjeçarja në Shkodër sfidon kohën, kujdeset për veten e punët e shtëpisë

Në një atmosferë të ngrohtë familjare, me tortën e ditëlindjes përpara, zonja Prendë Nikolli feston 101-vjetorin e lindjes një shekull jetë e plot histori, punë...
21:45 | 08/10/2025

Agron Shehaj sqaron në “Now”: Ja pse e mbeshtetëm Binajn

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në emisionin “Now”, me moderatore Erla Mëhilli në Euronews Albania ka folur lidhur me kandidaturën e Florian Binajt për...
21:31 | 08/10/2025

Festivali letrar për të rinj, Dokle: Marrëdhënia e shtetit me letërsinë inekzistente

Autorë nga vende të ndryshme të botës do të mblidhen për tre ditë me radhë në kryeqytetin shqiptar në kuadër të Edicionit të 11-të të...
21:20 | 08/10/2025