Buxheti i grupeve të krimit ja kalon ministrisë, gazetari: Çfarë po ndodh në Shkodër
Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Now me Thimi Samarxhi”, ku komentoi situatën në Shkodër pas atentatit me dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Ai u shpreh shumë pesimist në lidhje me perspektivat e sigurisë në këtë qytet, duke thënë se “ngjarjet kriminale do të vazhdojnë të përsëriten në mungesë të një ndërhyrjeje të fortë dhe të efektshme” nga shteti.
Hoxha e përshkroi Shkodrën si një qytet që ngjan shumë me Palermo-n e viteve 1980, ku krimi i organizuar ka depërtuar thellë në jetën politike dhe sociale të qytetit.
“Në Shkodër, për të marrë një vend pune apo tender në bashki, sipas burimeve, është e nevojshme të marrësh miratimin nga një nga bandat kriminale që veprojnë në qytet. Sot, fuqia e këtyre organizatave nuk matet nga numri i armëve që zotërojnë, por nga mbështetja politike që kanë arritur të sigurojnë. Shkodra është kthyer në një qytet që ngjan me Palermo-n e viteve 80, ku krimi i organizuar ka kapur thellë jetën politike dhe shoqërore” tha Hoxha.
Gazetari shtoi se grupet kriminale në këtë qytet janë jashtëzakonisht të fuqishme ekonomikisht dhe kanë buxhete financiare që rivalizojnë madje edhe me Ministrinë e Brendshme.
“Grupet kriminale në Shkodër kanë buxhete financiare që rivalizojnë madje edhe me Ministrinë e Brendshme dhe nuk kanë asnjë problem për armatim, për njerëz apo për teknologji moderne. Ato përdorin edhe drone për të monitoruar njëri-tjetrin dhe për të kontrolluar territorin. Një pjesë e madhe e banorëve janë dorëzuar ndaj situatës dhe janë larguar nga qyteti, duke kërkuar strehë në zona të tjera apo jashtë vendit, për shkak të rrezikut dhe gjendjes së rënduar në qytet” tha ai.
Hoxha tha se “ngjarjet në Shkodër kanë qenë të paralajmëruara dhe kjo është një seri krimesh që pritet të vazhdojnë”. Ai theksoi mungesën e vullnetit për të vepruar dhe evidentoi se ka shumë pengesa që ndalojnë hetimin dhe veprimin efektiv të policisë. Madje, sipas tij, “ka akuza se disa pjesëtarë të policisë janë lidhur me njërën apo tjetrën palë në konflikt”.
Në këtë kontekst, Hoxha tha se “nëse forcat e rendit i kushtojnë rëndësi kryesisht parcelave me kanabis në Dukagjin, nuk është e çuditshme që të shpërthejë dhuna e organizuar në Shkodër.”
Hoxha nënvizoi se “masakrat e përsëritura dhe mungesa e një reagimi të fuqishëm nga autoritetet ushqejnë vetëm ciklin e dhunës dhe krimit.” Kundërshtarët kriminalë përdorin këto ngjarje për të treguar se janë aktivë dhe në kontroll të territorit. Ai theksoi se “situata në Shkodër është jashtë kontrollit dhe policia e vetme nuk ka kapacitete për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë efektive”.
“Policia lokale mund të ndërhyjë vetëm në konflikte të vogla, ndërsa për çështje të mëdha dhe të organizuara, është e pamundur të veprojë, pasi i kanë prerë gjunjët nga lart. Kjo bën që ngjarjet të ndjekin njëra-tjetrën, herë duke goditur njërin grup dhe herë kundërshtarin, ndërsa rrënja e problemit mbetet e paprekur”, tha ai.
Hoxha përfundoi duke ngritur shqetësimin për të ardhmen, duke thënë se “nuk kemi të bëjmë me krime ordinere, pasi grupet kriminale dalin nga bazat e tyre, kryejnë sulme të shpejta dhe të organizuara dhe më pas tërhiqen.” Ai pyeti sesi do të zgjidhet kjo krizë që ka sjellë kaq shumë viktima, fëmijë të mbetur jetimë dhe familje të përfshira në një spirale të pafund gjakmarrjeje.
“Masakrat e përsëritura tregojnë se mungesa e një reagimi të fuqishëm nga autoritetet vetëm ushqen një cikël të dhunës dhe krimit, ndërsa kundërshtarët kriminalë përdorin këto ngjarje për të treguar se janë aktivë dhe në kontroll”, tha ai.
LEXONI GJITHASHTU:
101-vjeçarja në Shkodër sfidon kohën, kujdeset për veten e punët e shtëpisë
Agron Shehaj sqaron në “Now”: Ja pse e mbeshtetëm Binajn
Festivali letrar për të rinj, Dokle: Marrëdhënia e shtetit me letërsinë inekzistente
- 21:45 101-vjeçarja në Shkodër sfidon kohën, kujdeset për veten e punët e shtëpisë
- 21:31 Agron Shehaj sqaron në “Now”: Ja pse e mbeshtetëm Binajn
- 21:20 Festivali letrar për të rinj, Dokle: Marrëdhënia e shtetit me letërsinë inekzistente
- 21:11 Shëndetësi, mjekja: Mbipesha dhe obeziteti po rrisin sëmundjet në popullatë
- 21:05 Raporti OBSH: Gjysma e shqiptarëve me hipertension, vetëm 11% e mbajnë nën kontroll
- 21:01 Trump kërkon burgosjen e guvernatorit të Illinois dhe kryebashkiakut të Çikagos